Mjedra

mjedra Mjedra (Rubus Idaeus), sipas legjendës është zbuluar nga hyjnitë greke. Kjo pemë e çmuar, është përdorur më shumë si ilaç se si ushqim, vetëm se frutat nuk kanë qenë të kultivuara por të egra. Edhe sot, mjedra po përdoret gjithnjë e më shumë në mjekësi dhe në kozmetikë. Ajo përmban glukozë, fruktozë, sakarozë, acide organike elagjike dhe shumë elementë të tjerë. Përmban edhe vaj eterik, substanca me ngjyrë dhe tanin, vitaminë C dhe E. Për shkak të përbërësve të dobishëm në shumë vende përdoret për parandalimin e diarresë dhe ekzemave, ndërsa ekstrakti i frutës vepron kundër viruseve. Ekstrakti aktivizon edhe pankreasin për sekretimin e insulinës, për këtë arsye rekomandohet për reduktimin e sheqerit në gjak. Sot gjithnjë e më shumë po hulumtohet efekti i mjedrës edhe në qelizat maline, sepse ka rezultuar që acidi elagjik, i cili gjendet me bollëk në farat e mjedrës, parandalon shumimin e qelizave kancerogjene. Njëkohësisht parandalon dëmtimin e ADN-së dhe nuk vepron në qelizat përgjegjëse për mbrojtjen e sistemit imunitar të organizmit. Ekspertët këshillojnë që për t’u mbrojtur paraprakisht nga sëmundjet malinje, çdo ditë duhet të konsumohen rreth 130 g fruta të tilla. “Sigurisht që nuk mund të zëvendësojnë medikamentet mjekësore, por mund të kenë efekt parandalues”, shkruan Koha Ditore. Mjekësia tradicionale gjithnjë ka rekomanduar konsumimin e këtyre frutave të freskëta, sepse ato ulin temperaturën, nxisin djersitjen, pastrojnë organizmin, përshpejtojnë pastrimin e kanaleve urinare dhe veshkat, forcojnë imunitetin dhe zemrën, si dhe normalizojnë qarkullimin e gjakut.

Add a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *